Fakte rreth humbjes së dëgjimit

Miliona njerëz në të gjithë botën jetojnë me probleme të dëgjimit. Pjesa më e madhe e këtyre personave jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ndërgjegjësimi për rreziqet që shkaktojnë humbjen e dëgjimit dhe përmirësimi i aksesit ndaj shërbimeve në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor, mund të zvogëlojë prevalencën dhe ndikimin negativ të humbjes së dëgjimit.

– Në mbarë botën ka 466 milionë njerëz me humbje dëgjimi, 34 milionë prej të cilëve janë fëmijë

Kjo shifër përbën mbi 5% të popullsisë së botës. Nëse nuk do të merren masa, deri në vitin 2030 do të ketë rreth 630 milionë njerëz me aftësi të kufizuara dëgjimi. Deri në vitin 2050, numri mund të rritet në mbi 900 milionë njerëz.

– Humbja e dëgjimit nga mostrajtimi paraqet një kosto vjetore globale prej 750 miliardë dollarë.

Ekzistojnë shpenzime të konsiderueshme që lidhen me humbjen e dëgjimit të patrajtuar. Këto përfshijnë shpenzimet për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe punësimit. Ndërhyrjet për të trajtuar humbjen e dëgjimit duke përfshirë parandalimin, shfaqjen dhe sigurimin e pajisjeve të dëgjimit janë me kosto efektive.

– 34 milionë fëmijë janë të prekur nga humbja e dëgjimit.

Është vlerësuar se, deri 5 nga çdo 1000 foshnje lindin me humbje të dëgjimit ose e fitojnë atë pas lindjes. Humbja e dëgjimit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin psikosocial të fëmijës. Identifikimi i hershëm i humbjes së dëgjimit, i ndjekur nga ndërhyrje të menjëhershme dhe të përshtatshme, mund të ndihmojë që fëmijët me probleme dhe humbje
dëgjimi të gëzojnë mundësi të barabarta në shoqëri.

– Infeksionet kronike të veshit janë një ndër shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit.

Mbi 30% e humbjes së dëgjimit te fëmijët është shkaktuar nga sëmundje të tilla si fruthi, shytat, rubeola, meningjiti dhe infeksionet e veshëve. Është llogaritur se deri në 330 milionë njerëz vuajnë nga infeksionet kronike të veshit në nivel global. Kur nuk trajtohen, infeksionet kronike të veshit çojnë në humbjen e dëgjimit dhe mund të shkaktojnë komplikacione dhe
vdekshmëri. Infeksionet kronike të veshit janë të parandalueshme dhe mund të menaxhohen në mënyrë efektive përmes trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjeve kirurgjike.

– Pothuajse 1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit.

Humbja e dëgjimit e patrajtuar mund të çojë në largimin e njerëzve nga mjediset shoqërore, duke shkaktuar ndjenja vetmie dhe izolim social. Humbja e dëgjimit e lidhur me moshën mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes një sërë mjetesh, duke përfshirë aparatet e dëgjimit.

– Zhurma është një shkak i rëndësishëm i humbjes së dëgjimit.

Është vlerësuar se 1.1 miliardë njerëz (të moshës 12-35 vjeç) rrezikojnë të humbasin dëgjimin për shkak të ekspozimit ndaj zhurmës në mjedise argëtuese si koncerte, ngjarje sportive, si dhe nëpërmjet përdorimit të pajisjeve audio. Ekspozimi i rregullt ndaj tingujve me volum të lartë për një periudhë të gjatë paraqet një kërcënim serioz për humbjen e dëgjimit të
pakthyeshëm. Parandalimi mund të bëhet duke u ndërgjegjësuar për rreziqet që shkaktojnë humbjen e dëgjimit, dhe duke ndjekur praktikat e sigurta për dëgjimin.

– Humbja e dëgjimit mund të shkaktohet nga zhurmat profesionale dhe përdorimi i medikamenteve ototoksike (që dëmtojnë dëgjimin).

Në shumë vende zhurmat profesionale, siç janë zhurmat e larta të makinerive dhe shpërthimet, janë një ndër rreziqet e humbjes së dëgjimit në punë. Zhurmat profesionale mund të parandalohen duke përdorur pajisje mbrojtëse. Disa ilaçe të përdorura (të tilla si aminoglikozide dhe medikamente të caktuara kundër malarjes) mund të çojnë në humbje të
dëgjimit të pakthyeshëm. Prandaj konsultohuni gjithnjë me mjekun tuaj para përdorimit të medikamenteve.

Njerëzit me humbje të dëgjimit mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit të implantuara ose implanti koklear.

Prodhimi aktual i aparateve të dëgjimit plotëson më pak se 10% të nevojës globale. Është vlerësuar se ka 72 milionë njerëz që mund të përfitojnë nga përdorimi i një aparati dëgjimi.

Humbja e dëgjimit, cfare duhet te dini!

Share:

Leave comment