Çfarë mund ta dëmtojë dëgjimin?

Muzika e lartë që dëgjoni nga kufjet tuaja është vetëm një nga zakonet e përditshme që mund të rezultojë me dëmtim të dëgjimit. Tumoret, ilaçet, traumat në kokë… mësoni cilat janë shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit.

Ekspozimi i gjatë ndaj zhurmës në punë

Ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës mund të shkaktojë humbjen e përhershme të dëgjimit. Shpesh, shkak për këtë është zhurma në vendin e punës, veçanërisht zhurma e makinerive. Nëse në vendin tuaj të punës përballeni me zhurmë, mundohuni që orarin e pushimit ta kaloni në një vend sa më të qetë. Në vendin e punës mbani tampone për veshët në mënyrë që t’i mbroni veshët nga zhurma e lartë.

Lëndimi në kokë
Traumat e rënda në kokë mund të shkaktojnë zhvendosjen e kockave të veshit të mesëm ose të shkaktojë dëmtim të nervave, duke shkaktuar kështu humbjen e përhershme të dëgjimit. Ndryshimet e papritura të presionit – nga fluturimi apo zhytja – mund të shkaktojnë dëmtim të daulles së veshit, veshit të mesëm apo veshit të brendshëm, duke shkaktuar humbjen e dëgjimit.

Ilaçet
Një lloj i caktuar i antibiotikëve dhe ilaçeve për trajtimin e kancerit mund të japin efekte anësore duke shkaktuar humbjen e dëgjimit. Shpesh gjatë marrjes së këtyre ilaçeve kontrollohet edhe cilësia e dëgjimit, për ta parandaluar në kohë shfaqjen e këtij problemi. Mendohet se edhe përdorimi i shpeshtë i aspirinës mund të shkaktojë dëmtim të dëgjimit. Në disa raste, problemet me dëgjimin kalojnë pasi ti keni ndërprerë ilaçet.

Sëmundjet kronike
Disa sëmundje të caktuara kronike të cilat nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me veshin, mund të shkaktojnë dëmtimin e dëgjimit. Dëmtimi shfaqet si rezultat i ndërprerjes së rrjedhës së gjakut në veshin e brendshëm apo të trurit. Tek sëmundjet kronike përfshihen edhe sëmundjet e zemrës, goditja në tru, presioni i lartë i gjakut dhe diabeti. Sëmundjet autoimune si artriti reumatoid, gjithashtu mund të shoqërohet me disa forma të humbjes së dëgjimit.

Tumoret
Tumoret mund ta bllokojnë kanalin e veshit duke shkaktuar kështu humbjen e dëgjimit. Në disa raste, pas heqjes së tumorit, dëgjimi mund të rikthehet. Si rrezultat i rritjes së tumorit mund të shfaqen edhe simtoma të tjera si humbja e ekuilibrit, ngurtësim i fytyrës dhe gumëzhimë në veshë.

Muzika e lartë nëpër koncerte
Niveli mesatar i decibelëve gjatë koncerteve me muzikë rrok është 110, kjo është e mjaftueshme për të shkaktuar dëmtim afatgjatë të dëgjimit për vetëm 15 minuta. Humbja e dëgjimit mund të shfaqet gjatë ekspozimit ndaj çfarë do lloj zhurme mbi 85 decibel.

Kufjet
Nëse muzika që dëgjoni nëpërmjet kufjeve, dëgjohet edhe nga personat përreth jush, atëherë duhet ta zvogëloni volumin. Kufjet mund të shkaktojnë dëme të përkohshme apo të përhershme të dëgjimit. Sa më tepër të dëgjoni muzikë me volum të lartë, aq më i madh mund të jetë dëmi.

Humbja e dëgjimit kongjenital
Problemet e lindura të dëgjimit janë të trashëguara, por mund të ndodhë edhe nëse nëna ka diabet apo infeksion gjatë shtatzënisë. Humbja e dëgjimit mund të shfaqet tek fëmijët për shkak të lindjes së parakohëshme apo për arsye të tjera si trauma gjatë momentit të lindjes për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me oksigjen. Verdhëza neonatale gjithashtu mund të jetë shkak për humbjen e dëgjimit tek fëmijët e porsalindur.

Mosha
Me plakjen vijnë edhe ndryshimet degjenerative të kockave të dëgjimit të cilat mund të rezultojnë me reduktimin e dëgjimit. Tek ky ndryshim ju nuk mund të ndikoni, por sigurisht që mund të trajtohet dhe të përmirësohet dëgjimi. Bisedoni me audiologist për opsionet e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi.

 

Refer : ACIBADEM

Share:

Leave comment